Si esnafët e Elbasanit hodhën bazat ekonomisë së tregut në Perandorinë Osmane

62

Dossier

Nga editor, Infoelbasani.al

Tashmë është vërtetuar historikisht. Esnafët e Elbasanit hodhën bazat e ekonomisë së tregut në Perandorinë Osmanë.

Për të kuptuar më mirë atë shkallë të lartë civilizimi dhe organizimi gjatë Mesjetës në qytet kryesore të Shqipërisë në përgjithësi, e sidomos të Elbasanit në veçanti, është e rëndësishme të njihen marrëdhëniet e prodhimit, llojet e mallrave që prodhoheshin, shitja  e tyre, rregullat e vendosura etj. Në këtë kuadër, një vend të rëndësishëm zinin edhe bashkimet mbi baza profesioni të zejtarëve vendas, ose  e thënë ndryshe, Esnafët. Ky fenomen në Europën Mesjetare kishte nisur që nga vitet 1200. Por çfarë ishin esnafët, çfarë përfaqësonin ata, kur kanë ekzistuar dhe si ishin organizuar??

Një qind vjet pas themelimit të qytetit të Elbasanit nga pushtuesit osmanë, vihet re një zhvillim i vrullshëm i  tregtisë dhe zejtarisë në këtë qytet. Kjo bëhet e kushtëzuar edhe nga pozita e favorshme e qytetit të Elbasanit si nyje lidhëse ndërmjet të gjitha trevave shqiptare e veçanërisht  të funksionimit të transportit përgjatë rrugës tokësore Egnatia që zinte fill në portin e Durrësit dhe përshkonte gati të gjithë Ballkanin, jugperëndimor (Durrës, Qaf Thanë, Ohër , Strugë, Manastir, Selanik e më tej).

Nga ana tjetër qetësia e siguria që garantohej nga garnizoni ushtarak osman i  fortesës së re, Kalasë së  Elbasanit, që u rindërtua në vitin 1446 nga sulltan Mehmet II –Fatiu i mbiquajtur “Ngadhënjimtari”.

Sipas të dhënave të kohës, Elbasani i kësaj kohe numëronte mbi 900 dyqane dhe punishte. Por, zhvillimi i tregtisë dhe i zejtarisë  do të shoqërohet  edhe me format më të  përsosura të organizmit (korporativë) të esnafëve.

Gjurmët më të hershëm të organizmit esnafor të fazës embrionale, i takojnë gjysmës së dytë të shekullit XVI. Për herë të parë në vendin tonë në vitin 1580 në qytetin Elbasanit hasen esnafët (tajfat) e tabakëve (lëkurregjësve), terzinjve, çullhenjve (leshpunuesëve) takixhinjëve, fespunuesëve, shpataxhinjëve, gëzoftarëve etj. I tillë ishte Esnafi i Tregtarëve të Elbasanit i kryesuar nga disa kryepleq, që kishin krijuar prej shumë kohësh rregullat (besëlidhjet, marrëveshjet)e tyre. Veçanërisht një rëndësi e jashtëzakonshme  mori Esnafi i Tabakëve. Kjo del edhe nga statuti (Sexhereja) i këtij esnafi i hartuar nga Sheh Seid Mustafa Sulejmani në 14 maj 1657.

Statuti i Tabakëve të Elbasanit u bë shembull i  të gjithë esnafëve të Rumelisë (pjesa europiane e Perandorisë Osmane). Organizimi i esnafëve ishte e tillë: detyrimisht anëtarët ishin mjeshtëra të së njëjtës zeje dhe të të njëjtit besim fetar.

Në shekullin XVII  Elbasani kishte 30 esnafë, përfaqësues të 60 lloje zejesh të ndryshme. Kronikani turk, Evlija Çelebiu, që ka vizituar vilajetet shqiptare në vitet 1660-1670 dhe ka lënë shënime të vlefshme historike, duke folur për zejtarët Elbasanit shkruan: Në këtë qytet  punojnë me mjeshtëri shumë të hollë dhe me elegancë…” dhe më tej autori vijon përsëri :   “… përgatitja e mirë profesionale e artikujve ushqimorë ku dalloheshin sidomos furrxhinjtë dhe gjellëbërësit (akçinjtë) e Elbasanit”.  Duke folur për shijen e bukëve, ai thotë se : “..çureku i  bardhë, franxholla e ëmbël dhe simitja me qiqër janë më të përmendura”.

Në kuadrin esnafor ishin të përfshirë edhe banorët me ngjyrë. Ata kishin esnafët e tyre si hekurpunues, sazexhinjtë etj. Por përveç Esnafëve të Tabakëve, pas tyre vinin Esnafi i Argjendarëve. Kështu vetëm me përpunimin e arit e argjendit ishin 100 familje  që merreshin me këtë zeje. Objektet e zbukurimit, si unaza, gjerdanët, e sidomos armët e zjarrit të montuara prej tyre e të zbukuruar me argjend, ishin bërë të famshme në të gjithë Perandorinë Osmane.

Esnafët  organizonin panaire lokale, si dhe vendosnin unanimisht çmime fikse dhe pesha e dimensione  të standartizuar për mallrat e tyre në çdo vend ku tregtonin. Termi i përdorur në Selanik “Elbasanas  Pazar” nënkuptonte çmime të pandryshueshme.

Në rrafshin social ata kishin nën administrim objekte banimi, ku strehoheshin njerëz të varfër, të sëmurë, udhëtar të braktisur, vizitorë turistë të huaj të cilit ishin të mbrojtur dhe ushqeheshin apo trajtoheshin pa pagesë.

Si pasojë e zhvillimit të vrullshëm  ekonomik të qytetit, shpejt u ndie nevoja për krahë të rinj pune. Në këtë kohë drejtë qytetit zbresin familje të tëra fshatare  të cilët nga bujq dhe blegtorë, shëndërroheshin në zejtarë e artizanë.  Sipas E. Çelebiut dhe sipas disa burimeve të tjera, mund të thuhet se rreth shek. XVII qytet më të rëndësishme ishin Elbasani me 28 lagje të vogla e të mesme me rreth 4000 objekte banimi. Mendohet se rreth viteve 1650-1680 në Elbasan banonin afro 40.000 -45000 banorë, po të kemi parasysh  natyrën patriakale të familjes shqiptare e cila përbëhej mesatarisht nga 10 deri në 15 antarë, sipas regjistrave osmane të kohës.

Forcat prodhuese në qytetin Elbasanit ishin të ndara pothuaj kështu: 29% merreshin me përpunimin e lëkurës, 22% merreshin me endjen e rrobave e pëlhurave, 20% ishin bujq të perimeve  dhe frutikulturës, 17 % merreshin me përpunimin e metaleve, 9% me ushqimet dhe vetëm 3% e tyre merrej me ndërtim. Pra gati e gjitha jeta ekonomike e qytetit përfshihej nga zejtari dhe me tregti.

Elbasani e ruajti statusin e tij esnafor deri në fillim të shekullit XX.

Si përfundim mund të thuhet me plot bindje se ai ishte i pari qytet që me organizimin e tij esnafor futi për herë të parë në mënyrë të organizuar elementët e ekonomisë së tregut në Perandorinë Osmane.180.al/Infoelbasani.al